Promovim i projektit edukativ nën moton "Siguria e fëmijëve në komunikacion", i mbështetur nga ana e Ambasadës së parë për fëmijë "Megjashi", në kuadër të projektit "T'i marim të drejtat në duart tona" dhe i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe Fondacioni "Save the Children - Kosovo".
Koordinator i projektit: Florije Dika.
Projekti përfshin angazhimin konkret për rritjen e vetëdijes tek fëmijët në veçanti dhe tek popullata në përgjithësi, për rëndësinë e njohjes dhe respektimit të rregullave të trafikut dhe bashkëpunimin me organet kompetente që merren me rregullimin e komunikacionit si edhe me mediat. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet qëllimi i ndërgjegjësimit të pjesëmarrësve në komunikacion për respektimin e rregullave dhe drejtimin e automjeteve me kujdes, gjë që do të shmangte aksidentet në trafik, të cilat shpesh shoqërohen me të lënduar, por edhe me viktima.
Edukimi i popullatës lidhur ne sigurinë në komunikacion është një lloj edukimi specifik dhe element i rëndësishëm në sigurinë e përgjithshme. Ky edukim nuk nënkupton jo vetëm njohjen e rregullave dhe aftësimin për drejtimin e automjetit, por edhe respektimin e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, duke filluar nga këmbësorët, ku fëmijët përbëjnë një përqindje të konsiderueshme, tek drejtuesit e automjeteve tjera, si dhe përfaqësuesve të institucioneve që merren me rregullimin dhe kontrollimin e këtyre çështjeve, në radhë të parë policisë rrugore.
Kultura dhe etika e komunikacionit fillon të mësohet qysh në moshë të vogël. Në këtë drejtim familja dhe shkolla kanë vend dhe rëndësi të veçantë dhe të pazëvendësueshëm.
Shtimi i mjeteve të trafikut, si edhe aktorëve të tjerë në komunikacion, imponon një dozë shtesë të kujdesit nga ana e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, veçanërisht kur lëvizin pranë shkollave.
Projekti ka për qëllim:
1. Ndërgjegjësimin për rëndësinë e sigurisë gjatë lëvizjes në rrugë dhe në trafik në përgjithësi, veçanërisht mes fëmijëve të moshës shkollore,
2. Tërheqjen e vëmendjes së drejtuesve të automjevete si dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik për sigurinë e fëmijëve në trafik, veçanërisht atyre të moshës së shkollës fillore,
3. Informimin, përfshirje dhe edukimin e fëmijëve dhe komunitetit, përmes partneritetit me institucionet lokale, duke përfshirë zyrtarët e trafikut, sektorin civil dhe mediat,
4. Udhëzimin e nxënësve se si të sillen në trafik.
- Shkolla në bashkëpunim me Këshillin republikan për sigurinë në komunikacionin rrugor realizoi:
1. aktivitete edukative me karakter preventiv, me një numër të nxënësve, me qëllim aftësimin e fëmijëve të vegjël për sigurinë e tyre gjatë shkuarjes dhe kthimit nga shkolla,
2. ligjeratë edukative, si edhe
3. një apel drejtuar popullatës për pjesëmarrje të përgjegjshme në komunikacion, sidomos në afërsi të shkollave, ku ka lëvizje të nxënësv
- Gjithashtu, nxënësit realizuan një fushatë dy ditore duke shpërndarë fletushka me përmbajtje për sigurinë në trafik.
Mosnjohja dhe mosrespektimi i rregullave, neglizhenca, mendjemadhësia dhe mungesa e përgjegjësisë në komunikacion mund të kushtojnë humbje të jetës së njerëzve.
























